Banka Amerikane e Shqipërisë (BASH) u themelua në shtator të vitit 1998, nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve (FSHAN) një fond privat investimesh i themeluar nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara nën Aktin SEED të vitit 1989, për të mbështetur tranzicionin e Shqipërisë drejt një ekonomie të tregut.
Në datat 20 dhe 21 Dhjetor 2006, FSHAN, në rolin e aksionerit të vetëm të BASH-it, firmosi Marrëveshjen e Shitblerjes së Aksioneve dhe Marrëveshjen e Aksionerëve me grupin bankar italian Sanpaolo IMI.
Marrëveshja parashikonte shitjen e 12,000,000 aksioneve të Bankës, të barabarta me 80% të totalit të aksioneve tek Sanpaolo IMI, dhe ruajtjen e kontrollit mbi 3,000,000 ose 20% të aksioneve nga FSHAN, deri në vitin 2009.
Marrëveshja u finalizua më datë 29 Qershor 2007, kur BASH u bë zyrtarisht një bankë e Grupit Intesa Sanpaolo.
Grupi Intesa Sanpaolo është grupi kryesues në Itali, ku u shërben rreth 10.5 milion klientëve dhe njëkohësisht është një nga grupet kryesore në Europë. Ky Grup është rezultat i shkrirjes ndërmjet bankave Sanpaolo IMI dhe Banca Intesa, efektive nga data 1 Janar 2007.
Banka Amerikane e Shqipërisë është një institucion financiar kryesues në Shqipëri. Misioni i saj është t’u ofrojë të gjithë shqiptarëve shërbime të plota dhe cilësore bankare, si dhe të mbështesë zhvillimin e ekonomisë së vendit në tërësi. Më tej, që në themelimin e vet, BASH ka udhëhequr transformimin e industrisë së shërbimeve financiare në Shqipëri, duke u bërë kështu një nga huadhënësit më të mëdhenj në vend si për individët ashtu edhe institucionet, sigurisht duke u mbështetur në teknologjinë më të fundit që përfshin shërbimin bankar nëpërmjet internetit, ATM-të dhe kartat ABAcard.
BASH u shërben mbi 82,700 klientëve*, nëpërmjet 24 degëve në Shqipëri dhe Greqi, me një total depozitash mbi US$ 761 milion*, një total kredish mbi US$ 349 milion* dhe total aktivesh mbi US$ 882 milion*.
Tashmë, BASH, si pjesë e grupit Intesa Sanpaolo, do vazhdojë t’u ofrojë klientëve të vet shërbime bankare të orientuara drejt shërbimit cilësor dhe risisë në treg.
* Sipas datës 30 shtator 2007
Ndryshuar më: 25 tetor 2007